Kreu i ri i sapozgjedhur i Cosa Nostra-s është arrestuar falë një operacioni nga antimafia italiane. Vdekja e mafiozit të njohur Salvatore Riina, bëri që organizata kriminale të kishte një kupolë të re drejteuese, në krye të së cilës ishte 80-vjeçari Settimo Mineo.
Prej dekadash ai ishte kapo i klanit Pagliarello në Palermo. Settimo Mineo është nga më të vjetrit në moshë mes bosave mafiozë të Cosa Nostras. Dy vëllezërit e tij janë vrarë në konflikte mafioze, e ai vetë ka qenë i përshirë në mega procesin e Palermos ku u arrestuan mbi 400 bosa mafiozë e ku u dënuar me 11 vite burg. Më 2006-n ka mbaruar dënimin e tij.
Hetimet e Antimafias italiane kanë zbardhur se kupola e Cosa Nostra është mbledhur më 29 maj të 2018, për të riorganizuar aktivitetin kriminal të trafikut të drogës e basteve online si dhe për të zgjedhur kryebosin e ri. Kjo është hera e parë që kupola e Cosa Nostra mblidhet pas takimit të fundit të mbajtur 25 vite më parë në 1993-shin.
Mega operacioni i sotëm ka çuar në arrestimin e kapos së ri të Cosa Nostras si dhe të 46 personave të tjerë me akuzën e pjesëmarrjes në aktivitet të strukturuar mafioz.





