Afati i vlefshmërisë së lejes së drejtimit ka shkuar në 15 vjet. Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, thekson se afatet e reja kanë hyrë në fuqi dhe nga kjo do të përfitojnë 80 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin.
‘U tha u bë! Patentat e makinave tanimë do të kenë një afat më të gjatë të vlefshmërisë së tyre, i cili shkon deri në 15 vjet. Afatet e reja kanë hyrë në fuqi dhe janë afro 80 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin që përfitojnë prej tyre, në bazë të së njëjtit standard që ndiqet edhe në vendet e BE-së, duke i lehtësuar qytetarët me cikle më të shkurtra të rinovimit të patentës, nga 11-12 rinovime si deri sot, në vetëm 4-5 rinovime sipas afateve të reja nga DPSHTRR, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, një institucion lider në rrugën e reformave e të Revolucionit Digjital!’- shkruan Rama.
Me rregullat e reja lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç. Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të parashikuara në pikën 2 të nenit 117 të këtij Kodi, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.