Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj dy të akuzuarve, ish-krerë të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përmes dy vendimeve të ndara, më 13 Nëntor 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ua ka vazhduar këtë masë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në arsyetimin e këtyre vendimeve, thuhet se nuk ka informacione të mjaftueshme që mund të konkludohet që dy të akuzuarit të ikin nga drejtësia.

Megjithatë, Paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat e DhSK-së dhe të kryejnë krime të tjera ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.

Ndërsa, sa i takon masave alternative, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte argumentuar se asnjë masë nuk i zbut mjaftueshëm rreziqet përkatëse dhe se ato mund të menaxhohen më së miri vetëm në objektin e paraburgimit.

Kurse, mbrojtja e Selimit dhe e Krasniqit, nuk i është përgjigjur parashtrimeve të ZPS-së.

Si rrjedhojë, pasi janë shqyrtuar të gjitha rrethanat përkatëse, paneli i gjyqtarëve ka vazhduar masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.