Tiranë, 20 mars 2014 – Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të shtyjë me një vit kohëzgjatjen e ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Vendimi vjen vetëm pak javë përpara datës së skadencës së zbatimit të këtij ligji, i cili, sipas parlamentit të mëparshëm, mbetej në fuqi deri më 30 prill 2014. "Në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, 'Për kthimin dhe kompensimin e pronës', të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: Në nenin 24, data '30.4.2014' zëvendësohet me '30.4.2015'. Në nenin 28, data '30.4.2014' zëvendësohet me '30.4.2015'" përcakton vendimi i djeshëm i Qeverisë. Në këtë mënyrë, si dhe më parë, Këshilli i Ministrave zgjat edhe për një vit efektin e ligjit të kompensimit të pronave, problem i cili është shumë larg zgjidhjes. 

Zvarritja e procesit

Procesi i Kthimit dhe Kompensimit të pronave zvarritet prej vitesh, duke bërë që një numër i madh pronarësh shqiptarë të humbin shpresat për një zgjidhje nga institucionet tona, duke e kërkuar këtë zgjidhje në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut. Vetëm para pak javësh, Këshilli i Evropës ka dërguar në AKKP një ekip ekspertësh për të ndjekur ecurinë e zbatimit të vendimit-pilot të Gjykatës së Strasburgut për kthimin dhe kompensimin e pronës. 

Lajmi u konfirmua nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas së cilës, takimi është bërë në kuadrin e punës së këtij institucioni e veçanërisht lidhur me zbatimin e vendimit- pilot të Gjykatës së Strasburgut, i cili i ka dhënë 18 muaj kohë shtetit shqiptar për të kompensuar 4 pronarë. "Takimi i zhvilluar ishte në kuadrin e shkëmbimit të ideve për përmirësimin dhe ecurinë e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, një proces ky i zvarritur prej vitesh, si dhe hartimin e një plan veprimi konkret nga ana e Qeverisë Shqiptare në lidhje me zbatimin e detyrave të lëna në vendimin-pilot të Gjykatës së Strasburgut", shkruante AKKP-ja në një njoftim zyrtar. 

Dosjet

Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë, nga viti 1993 e deri në datën 31.12.2011, janë hapur gjithsej mbi 62 000 kërkesa/dosje për njohjen/kthimin dhe kompensimin e pronës. Deri në vitin 2012 janë dhënë vendime në shkallë vendi në mbi 90% të rasteve të aplikuara: 55000 vendime për njohjen e së drejtës së pronësisë, kthimin e pronës dhe njohjen e së drejtës së kompensimit, për rreth 43000 subjekte t? shpronësuara. Në vitin 2012, sipas të dhënave të qeverisë, rreth 90 459 ha tokë u është kthyer subjekteve të shpronësuara, nga të cilat, 4359 ha truall, 4138 ha tokë bujqësore, 79 879 ha tokë pyjore dhe 2083 ha tokë e kombinuar. Buxheti i vitit 2014 parashikon ulje të fondeve në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve. 

Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish-pronarëve, parashikohet në total në masën prej 1.6 miliardë lekësh, prej të cilave, 300 milionë lekë financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër parashikohet të mbulohet me të ardhurat e krijuara nga procesi i legalizimit të pronave (ALUIZNI).