Tiranë, 11 shtator 2014  – Numri dy i qeverisë, Niko Peleshi ka deklaruar sot se funksionimi i Bankës së Shqipërisë nuk është penguar, ndërkohë që Kuvendi do të japë mendimin e vet brenda afateve ligjore.

Sipas Peleshit, kreu i shtetit është me ligj pjesë procesit përmes propozimit të emrit të ri të Guvernatorit të ri.

“Presidenti me ligj duhet të jetë pjesë e procesit mes propozimit të emrit të guvernatorit të ri, qeveria është së pari e interesuar që ky të jetë një proces nga i cili BSH të dalë më e fortë, me solide dhe që procesi të mos jetë i kontestuar politikisht. Nuk ka qëllim qeveria të kapë politikisht institucionet e pavarura aq më pak Bankën e Shqipërisë”– tha ai. 

Peleshi ka theksuar se funksionimi i BSH nuk eshte penguar.

“Nuk ka vend për panik. Ka afate ligjore brenda të cilit Parlamenti duhet të japë mendimin vet. Funksionimi i Bankës së Shqipërisë nuk është penguar, funskionon edhe me numrin e atyre që janë në detyrë dhe me guvernatoren në detyrë”– tha ai.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/