Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duke uruar kreun e sapozgjedhur dhe duke vlerësuar punën e bërë nga drejtuesi aktual i institucionit.
Në një deklaratë publike, Rama shkruan:
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet.”
Reagimi i kryeministrit vjen menjëherë pas votimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që sot zgjodhi drejtuesin e ri të SPAK mes katër kandidatëve. Në deklaratën e tij, Rama thekson vijimin e mbështetjes së mazhorancës për institucionin e posaçëm, duke nënvizuar rëndësinë e pavarësisë dhe kushteve optimale për ushtrimin e misionit të tij.





