Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka shprehur dakordësinë me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Kreu i qeverisë thotë se drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme nuk e zgjedh as qeveria, as foltorja, as ambasada, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ai i bën thirrje anëtarëve të KLP-së që të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve dhe të mos influencohen nga askush.
“Jam plotësisht dakord me Ambasadoren Yuri Kim dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!
Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkroi Rama.
Para Ramës, në rrjetet sociale reagoi Kim, e cila tha se procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK nuk duhet të ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet. Sipas saj, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Kim u shpreh se Reforma në Drejtësi është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar dhe SHBA do të vazhdojë ta mbështesë këtë. Kim theksoi se SHBA do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes në SPAK.
Për kreun e ri të SPAK kanë dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë kandidaturat e tyre tre prokurorët Adnan Xholi, Edvin Kondili e Altin Dumani./