Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos si Kryeprokuror i ri i SPAK, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të institucionit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Në deklaratën e saj, Ambasada vlerëson kontributin e drejtuesit të deritanishëm, Altin Dumani, ndërsa shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me drejtuesin e sapozgjedhur.

Reagimi i plotë i ambasadës amerikane: 

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë Altin Dumanin për shërbimin e tij shembullor si Kryeprokuror i Posaçëm i SPAK. Integriteti dhe guximi i tij në vënien e kriminelëve përpara drejtësisë kanë forcuar bashkëpunimin SHBA–Shqipëri, duke na bërë të gjithëve më të sigurt ndaj plagës së krimit transnacional dhe trafikut të narkotikëve. Ne presim me interes vazhdimin e partneritetit tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK.