Organizata politike dhe ushtarake Hamas, e konsideruar terroriste nga Perëndimi, do të zhvillojë zgjedhje për liderin e ri, që do të votohet nga anëtarët e saj në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe në vendet e tjera ku ata ndodhen, në rajon dhe përtej tij. Lideri që do të zgjidhet, do të jetë lider i përkohshëm me mandat njëvjeçar.
Organizata Hamas është krijuar në vitin 1987 dhe që nga ajo kohë ka qenë një ndër polet e rëndësishme të fuqisë brenda Palestinës, bashkë me Autoritetin Palestinez dhe ka qenë në luftë të vazhdueshme me shtetin e Izraelit.
Pas sulmeve të Hamasit në 7 tetor 2023 kundër Izraelit, ku humbën jetën rreth 1200 njerëz, Gaza është goditur pothuajse në mënyrë të pandërprerë nga forcat izraelite, duke vrarë mjaft anëtarë të Hamasit dhe duke shkaktuar shumë viktima civile në Rripin e Gazës.
Yahya Sinwar, kreu i përgjithshëm i Hamasit, u vra nga forcat izraelite në Gaza në tetor 2024, ndërsa udhëheqësi i tij politik, Ismail Haniyeh, u vra në një sulm izraelit në Iran në korrik të po atij viti. Kreu ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, u vra gjithashtu në korrik, gjatë një sulmi ajror izraelit mbi Gazën.
Pozita e kreut të përgjithshëm të Hamasit ka mbetur vakante që nga vdekjet e Haniyeh dhe Sinwar, me lëvizjen që udhëhiqet nga një komitet i përkohshëm i kryesuar nga Mohammad Darwish, me bazë ne Katar.
Khalil al-Hayya, i cili udhëheq Hamasin në Gaza shihet gjerësisht si i lidhur me Sinwar dhe Haniyeh. Khaled Meshaal, kreu i Hamasit jashtë vendit, është një nga figurat më të vjetra të lëvizjes, i cili më parë ka shërbyer si udhëheqësi i përgjithshëm për gati dy dekada.
Sipas rregullave të lëvizjes, kreu i Hamasit zgjidhet nga një kolegj zgjedhor prej 86 anëtarësh, të përbërë nga Këshilli i Përgjithshëm Shura, organi më i lartë vendimmarrës i Hamasit, që përfaqëson Gazën, Bregun Perëndimor, të burgosurit palestinezë në Izrael dhe zyrtarët e vendosur jashtë vendit.
Armëpushimi i arritur në tetor të 2025 mes Izraelit dhe Hamasit, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, kërkon që Hamas të shpërbëhet dhe që pushteti dalëngadalë t’i kalojë Autoritetit Palestinez, i cili operon kryesisht në Bregun Perëndimor.





