8 maj 2015 – Konservatorët e qendrës së djathtë në Britani, kanë fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare të së enjtes, duke mundësuar që Kryeministri David Cameron të formojë qeverinë e re, pa pasur nevojë për koalicion si në mandatin e kaluar.
Këto ishin nga zgjedhjet më të paparashikueshme. Analizat tregonin se Britania do të kishte një Parlament ku asnjë parti nuk do kishte shumicën dhe qeveria e ardhshme do ishte produkt i një koalicioni, por siç duket nuk shkoi kështu. Elektorati britanik ka pasur një as nën mëngë për të habitur të gjithë analistët politikë dhe mediatikë, vendas e ndërkombëtarë.
Ed Miliband, udhëheqësi i laburistëve, pritet të japë dorëheqjen. Laburistët e opozitës përjetuan një humbje tragjike në këto zgjedhje duke u fshirë nga harta politike e Skocisë.
Britania sot e tutje i rikthehet politikës së vjetër jashtë koalicioneve. Ky rezultat impresionues për Kryeministrin Cameron do të forcojë pozitën e tij negociuese me Bashkimin Europian.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/