Arian Ndoja, kandidati i koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ka arritur të sigurojë mbi 7 mijë vota preferenciale në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke kaluar rezultatin e kandidatit më të votuar të PD-së në zgjedhjet e vitit 2021, Igli Cara.
Cara, që garonte në listën e Partisë Demokratike katër vite më parë, mori 6,952 vota dhe u renditur kandidati më i votuar në këtë qark për PD-në. Ndërkohë, Ndoja, që këtë herë garon në listë të hapur, ka arritur të thyejë këtë rekord me 7147 vota, ndërsa procesi i numërimit vijon ende.
Vlen të theksohet se akoma nuk ka nisur numërimi i votave të ardhura nga diaspora për kandidatët në listë të hapur, të cilat mund të ndikojnë më tej në rezultatet përfundimtare.
Nëse ky trend votash vijon deri në fund dhe Ndoja kryeson listën e hapur të kandidatëve të PD-ASHM, ai pritet të jetë deputeti i ardhshëm në Kuvendin e Shqipërisë, së bashku me kolegët e tij nga lista e mbyllur.
Kjo është një arritje e rëndësishme për kandidatin Ndoja, pasi për herë të parë pas largimit nga radhët e prokurorisë për shkak të procesit të vettingut, ai përfshihet në politikë. Kjo ishte sprova e parë për ish-prokurorin Ndoja si politikan i ardhshëm, dhe duket se ai po fiton mbështetje të gjerë në këtë rol të ri.
Krejt ndryshe ishte situata e kandidatit Igli Cara në zgjedhjet e vitit 2021, pasi ai vinte nga disa beteja politike, duke qenë se e kishte sprovuar veten më parë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Cara synoi të thyente herësin në zgjedhjet e 4 viteve më parë, por nuk arriti dhe mbeti jashtë Kuvendit megjithëse mori vota më shumë sesa kandidatët e tjerë që u bënë deputetë në legjislaturën 2021-2025. Në zgjedhjet e 11 majit, Cara mban vendin e pestë në listën e mbyllur të koalicionit PD-ASHM.





