Analisti Milaim Zeka i ftuar në emision “Top Talk” me Juli Xhokaxhi për fushatën zgjedhore në votimet e 14 majit në Shqipëri, tha se kënga e fushatës së Ramës është tallava.
Ai tha se këtë zgjedhje kryeministri e ka bërë pasi sipas tij, ai e di që ne jemi një shoqëri tallava.
“Për të qenë tallava është tallava, por që jemi shoqëri tallava, ketë e di më së mirë Edi Rama dhe të gjithë ne. Domethënë jemi një shoqëri super e çuditshme, kështu që ai e ka gjetur atë palcën kurrizore të shqiptarëve”, tha Zeka.
Kënga u postua nga Edi Rama në llogarinë e tij në Facebook, ndërsa pyeste ndjekësit e tij nëse iu pëlqente si këngë fushate.
Zeka tha se Rama i bën këto postime në mënyrë shumë komode, pasi e di që mediat do t’ia publikojnë dhe diskutojnë për shkrimet e tij, ndërsa i akuzoi mediat se nuk kanë një reagim kolektiv.
“Edi Rama ka vite e vite që na quan një kazan mediadik, të cilën ai dhe politikanët e tjerë e kanë ndërtuar, por duke qenë shumë komod që nëpër studio televizive lexohen edhe shkrimet e tij në Facebook, edhe çdo gjë që ai e shkruan e publikon ai është shumë komod, prandaj edhe fushatën e hapi në mënyrë shumë komode, sepse edhe si media nuk kemi një reagim kolektiv”, tha analisti.
“Për shembull një lajm në Britaninë e Madhe, lajmi është lajm dhe atë lajm e transmetojnë të gjitha mediat, pa dallime. Te ne ka inate pse e dha Topi një lajm ne nuk do ta japim, edhe pse është super lajm. Këtë e ka kap edhe Edi Rama në mënyrë brilante duke qenë pjesë e gjatë e mediave duke e ditur se ne po prodhojmë emisione dhe lajme jo për shikime por për klikime”, shtoi Zeka.
Ndërsa për zgjedhjet Milaimi tha se Edi Rama dhe Erion Veliaj e ndiejnë veten 100% fitimtar pasi përball kanë një opozitë të përçarë.