Kryetari i komanduar në PD Durrës, Joni Myshketa është i bindur se dalja me dy kandidatë në zgjedhjet e 14 majit fraksionon votat e demokratëve.
Për Myshketën, bashkimi jo vetëm i mbështetësve të PD-së, por edhe qytetarëve në një aleancë kundër pushtetit të Ramës dhe njëkohësisht përgatitja e një liste dinjitoze e kandidatëve për Këshillin Bashkiak duhet të jenë prioritetet kryesore të partisë më të madhe opozitare, kur na ndajnë vetëm 2 muaj nga zgjedhjet.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, 2 ditë pas takimit të kryetarit në detyrë të PD-së, Enkelejd Alibeajt, me strukturat drejtuese të degës së Durrësit, Myshketa thotë se “dora e bashkimit duhet të mbetet gjithmonë e shtrirë në politikë brenda të njëjtës forcë politike, brenda e njëjtës filozofi politike të djathtë. E theksoj këtë pasi PD është e tillë dhe beson fort në parimet e së djathtës, në bazë të meritokracisë, ndershmërisë, dinjitetit, lirisë së mendimit dhe veprimit duke respektuar jetën dhe duke mos cënuar askënd dhe ndaj qytetarëve të vendit”.
I pyetur lidhur me emra konkretë të kandidatëve potencialë me të cilët grupimi Alibeaj mund të garojë në Durrës nëse bashkimi i demokratëve nuk ndodh, Myshketa përgjigjet:
“Këtu nuk bëhet fjalë për çështje emrash, pasi ju siguroj që brenda PD dhe qytetarëve të Durrësit ka plot njerëz të ndershëm, dinjitos, profesionistë të shkëlqyer, që mund të jenë përfaqësues të denjë të forcës sonë politike, por ajo që është më e rëndësishme në pikën ku ndodhemi është të mos shkëputemi nga graviteti i situatës ku besoj dhe jam i bindur që nuk duhet reshtur së punuari dhe negociuar me të gjithë aktorët dhe faktorët politik, brenda llojit dhe aleatëve të qendrës së djathtë, duke përfshirë dhe mendimet shumë të vyera të qytetarëve për daljen me 1 kandidat, pasi këtu nuk bëhet fjalë për lojë individuale, por për drejtimin në 4 vitet e ardhshme të qytetit të dytë në Shqipëri për nga rëndësia ekonomike dhe të parit për vlerat historike që mbart”.
Intervistën e plotë e ndiqni në videon e mëposhtme.
M.B.