Teksa po afron data për zgjedhjet vendore të 14 majit, sot ka nisur cikli i trajnimeve me objekt përmbushjen e plotë dhe efektive të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit.

Trajnimet intensive do të realizohen në ambientet e Akademisë së Sigurisë nga ekspertë multidisiplinarë të OSCE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, dhe do të konsistojnë në informimin e plotë të punonjësve të Policisë, për aspektet ligjore, etike dhe disiplinore të këtij procesi kompleks dhe të rëndësishëm për vendin.

Trajnimet u iniciuan sot, me pjesëmarrjen e drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit, dhe do të shtrihen përgjatë muajit mars, për të gjithë efektivët që do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Falënderoj Ambasadorin e OSCE-së në Shqipëri, për mbështetjen e vazhdueshme që OSCE-ja i ka dhënë dhe po i jep Policisë shqiptare, mbështetje e cila faktohet edhe sot, përmes këtij trajnimi të organizuar për punonjësit e Policisë së Shtetit, për t’i përmbushur plotësisht dhe me efektivitet, detyrat funksionale para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit.

Gjithashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Celibashi dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për angazhimin e tyre në këtë trajnim. Roli i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, është thelbësor, pasi kontrollon dhe certifikon veprimet procedurale që punonjësit e Policisë kryejnë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Siguroj qytetarët, subjektet politike, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit do të zbatojë vetëm ligjin, ashtu siç ka vepruar në të gjitha proceset zgjedhore, veprime të cilat janë certifikuar nga OSBE-ODIHR.  Për Policinë e Shtetit, primare janë ligji, shteti dhe qytetarët”, tha Rrumbullaku.