Në Tiranë, OSBE dhe institucione të tjera perëndimore u bënë sot thirrje pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore të 14 majit, që të mos i bëjnë presione medias shqiptare për të shkelur standardet dhe etikën profesionale, por ta ndihmojnë në përmbushjen e tyre.
Ata folën me shqetësim për presionet, që u bëhen gazetarëve në punën e tyre, e sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kreu i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasador Guido de Sanctis, theksoi sot në takimin me KQZ dhe përfaqësues të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë se ODIHR në raportin mbi zgjedhjet e 2021 i kushtoi disa pjesë me rëndësi gjendjes së medias shqiptare, ku flitet me shqetësim mbi lirinë e medias, pavarësinë editoriale të saj, transparencën e fushatës si dhe mbi sigurinë e kushteve të punës së gazetarëve.
Ai theksoi se partitë shpenzojnë shumë për shfaqjet e tyre mediatike dhe rreziku i këtij investimi është që kandidatët mund të marrin nën kontroll përmbajtjen e raportimeve të mediave gjatë fushatës.
“Vëzhguesit tanë të misioneve të drejtuar nga ODIHR kanë theksuar në çdo palë zgjedhje rëndësinë e pavarësisë editoriale në media dhe nevojën për t’i mbështetur në krijimin e kushteve për të shmangur auto-censurën, sepse gazetarët flasin shpesh për presionet e shumta që përballin në punën e tyre gjatë raportimit. OSBE mbështet mediat në përmbushjen e standardeve e etikës profesionale, transparencës për të informuar saktë mbi ecurinë e fushatave. Gjithë faktorët dhe partnerët nevojitet të dialogojnë, që të gjejnë zgjidhjet, në mënyrë që media të zbatojë parimet e etikës profesionale”, thotë ambasadori De Sanctis.