Konkluzioni për sezonin turistik 2018 në qarkun e Durrësit, është se vera që lam pas ishte më e qetë, e pastër, e sigurtë, fitimprurëse dhe e suksesshme sipas prefektit Roland Nasto. Gjatë analizës vjetore, Nasto renditi edhe prioritetet e insititucionit që drejton, përgjatë vitit 2019.

Duke qenë se këtë vit do të mbahen zgjedhjet për bashkitë e vendit, prioritet për prefekturën mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe transparente në bazë të ligjit tha ndër të tjera Nasto.

"Nisur nga nesër ne do të zbatojmë vetëm ligjin", tha prefekti i cili lëshoi dhe një ultimatum për drejtuesit e institucioneve në Durrës në rast se do të kapen në shkelje, do të shkarkohen nga detyra.

Drejtoresha e përgjithshme e prefekturave, Alma Mele, e pranishme në mbledhje, kërkoi bashkëpunim ndërmjet institucioneve në Durrës, ndërsa kërkoi prej tyre më shumë përghjegjësi për sfidën e këtij viti.

"Në këtë vit ne kemi një sfidë tjetër, përpos sfidave që i kemi të përditshme, jemi vit zgjedhor. Unë do të ju lutesha të jeni të kujdesshëm duke filluar që nga vetja në radhë të parë, në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor dhe aktet ligjore të tjera," tha ndër të tjera drejtoresha Mele.