Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirijan Celibashi i bën apel qytetarëve të cilët kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.
Kreu i KQZ-së paralajmëron qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë e Lushnje që të kontrollojnë nëse karta e tyre e identitetit ose pasaporta është e vlefshme dhe nuk ka skaduar deri më datën 6 mars, që është dhe dita ku do të zhvillohen zgjedhjet.
Celibashi thekson se nëse qytetarët që kanë kartat e identitetit ose pasaporta të skaduara në atë datë, skualifikohen nga e drejta për të zgjedhur.
Njoftimi i KQZ:
NJOFTIM
Tiranë më 26.01.2022
Celibashi apel qytetarëve – Kontrolloni vlefshmërinë e dokumentit tuaj të identifikimit
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirijan Celibashi i bën apel qytetarëve të cilët kanë të drejtë të votojnë për zgjedhjet e pjesshme lokale që të kontrollojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre të identifikimit.
Të gjithë qytetarët e bashkisë Dibër, Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnje, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, dhe/ose mbushin 18 vjeç në datën 6 Mars, nuk mund të votojnë për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre nëse dokumenti i identifikimi (kartë identiteti/pasaportë) nuk është i vlefshëm në datën e zgjedhjeve.
Procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, Komisioneri Celibashi i bën thirrje qytetarëve, që nëse vlefshmëria e dokumentit të identifikimit ka skaduar apo skadon në datën 6 Mars, të mos e lënë për në momentin e fundit, por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat” për të aplikuar për rinovimin e tyre.
Të votosh është e drejtë por edhe përgjegjësi qytetare. Ndaj, sigurohuni që në ditën e votimit të keni dokumentin e identifikimit tuaj të vlefshëm