Shkup, 12 prill 2014 – Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të dielën për herë të pestë në zgjedhje të drejtpërdrejta do të votojnë për presidentin e ri të vendit. Presidenti i ri do të zgjedhet ndërmjet Gjorge Ivanovit, kandidat i VMRO-DPMNE-së, Stevo Pendarovskit, kandidat i LSDM-së, Zoran Popovskit, kandiat i GROM dhe Iljaz Halimit, kandidat i PDSH-së.
Presidenti i ri, i cili do ta fitojë besimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme do ta marrë detyrën pas 12 majit, kur, sipas Kushtetutës, Gjorge Ivanovit i skadon mandati presidencial pesëvjeçar. Katër pretenduesit për shef të ri të shtetit fushatën zgjedhore e filluan më 24 mars të këtij viti, ndërsa bindjen e qytetarëve se përse t'ua japin votën duhet ta përfundojnë 24 orë para ditës së caktuar për votim. Për president do të zgjidhet kandidati i cili më 13 prill do të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votuesve të evidentuar.
Nëse askush nuk e fiton shumicën e nevojshme, pas 14 ditësh do të organizohet raundi i dytë, në të cilin shkojnë dy kandidatë të cilët do të fitojnë numrin më të madh të votave. Do të fitojë ai që do të mbledhë më shumë vota nën kushtin që në votim të dalin së paku 40 për qind nga trupi i përgjithshëm votues. Nëse në rrethin e dytë askush nag kandidatët nuk e fiton shumicën e nevojshme, përsëritet e tërë procedura.
Për të vëzhguar procesin e zgjedhjeve presidenciale të 13 prillit në Maqedoni janë akredituar 8325 vëzhgues vendor dhe 326 të huaj, si dhe 222 përkthyes.
Sipas të dhënave të faqes zyrtare të KSHZ-së, organizata “Most” ka 1790 vëzhgues, Shoqata për aktivitete humane “Singerija” 4970 vëzhgues, Organizata “Vepro” 1500 vëzhgues si dhe shoqata të tjera vendore. Nga misioni i OSBE/ODIHR janë akredituar 41 vëzhgues dhe 146 përkthyes, OSBE me 91 vëzhgues, Ambasada e SHBA-ve me 27 vëzhgues dhe 54 përkthyes, Misioni i BE-së me 27 vëzhgues si dhe ambasadat e vendeve të rajonit dhe vendeve tjera me numër të vogël të vëzhguesve.
Këto të dhëna janë për të akredituarit vetëm për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 13 prill, ndërsa afati për akreditimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare vazhdon deri më 22 prill.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





