TIRANE – Pak ditë përpara vizitës së tij në Tiranë, Eurokomisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka komentuar në profilin e tij në rrjetin social “Twitter” rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, duke nënvizuar se pavarësisht zgjedhjeve të mira, vendi ynë duhet të zgjidhë çështjet kritike, që kanë të bëjnë me kulturën e kompromisit. 

“Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk zgjidhin çështje kritike: si mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes.”- shkruan Fyle në “Twitter” në gjuhën angleze dhe në shqip. 

Komisioneri për Zgjerimin do të takohet të hënën në Tiranë me Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në Parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. 

Pak ditë më parë, në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europiane, Komisioneri Fyle u shpreh se do të ishte mëkat nëse kjo çështje nuk do të tejkalohej. Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’u paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.