TIRANË, 13 prill 2013- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe firma spanjolle INDRA ka nisur zhvillimin e testit për Sistemin Elektronik të Numërimit të Votave, që do të realizohet në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Fierit. 

Testi po zhvillohet në Tiranë, në mjediset e shkollës 'Hasan Prishtina', ku po marrin pjesë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, OSBE, NDI, KiE etj. 

Nga testimi qe po zhvillohet deri tani ka përfunduar procesi i skanimit të dy kutive të para. Nga kutia e parë, të skanuara janë 308 fletë votimi dhe u vlerësuan në kohë të shkurtër, 287 fletë votimi.

Wollfarth: Po e ndjek hap pas hapi, procesi garanci transparence në numërimin e votave

 

Ambasadori i OSBE në vendin tonë, Eugen Wollfarth ka komentuar sot këtë testim të rëndësishëm në numërimin elektronik të votës, duke theksuar se është një përpjekje e KQZ për transparencë në ditën e 23 Qershorit. 

Z Ambasador, si ju duket deri tani procesi i testimit?

Ky është testimi i parë publik është shumë i rëndësishëm për njerëzit publikun. Dhe në fakt kjo përzgjedhje dhe simulimi i anëtarve të KQZ, kjo tregon përpjekjen për një punë sa më të mirë në zgjedhjet e 23 Qershorit. 
Përpjekja që po bëhet nga KQZ tregon se procesi do të jetë transparent dhe se kjo është përpjekje që të rritet transparenca. 

A mendoni se do kalohet testi? 

Le të shohim hap pas hapi. Testimi do vazhdojë dhe më pas gjatë gjithë ditës dhe kjo është në përgatitje solide e KQZ për të pasur zgjedhje sa më të mira. 
Kam përshtypje të mirë për atë që po zhvillohet sot këtu dhe besoj se do rrisë besimin e publikut në këtë proces zgjedhor. 
Shoh që po bëhet një punë e mirë dhe profesionale nga KQZ dhe të gjithë ata që janë të pranishëm këtu. 

Riformatimi i KQZ? Propozimi i mazhorancës për zëvëndësimin e anëtarit të LSI, mendimi juaj? 

Në fakt është e rëndësishme të ketë punë apolitike nga KQZ dhe kjo që po shoh këtu tregon se po bëhet punë e mirë dhe kjo është e rëndësishme. Kushtetuta përbën bazën dhe pastaj vijnë ligjet dhe cdo gjë duhet bërë në bazë të kushtetutës dhe ligjeve dhe pastaj cdo gjë bëhet më e lehtë. 
Por, është e rëndësishme që për zgjedhjet që do zhvillohen të mbahet mend sovraniteti dhe njerëzit janë ata që vendosin për votën. 
 

HERA E PARE E PROJEKTIT PILOT DO JETE FIERI

Sasia e fletëve të votimit në këtë testim paraprak, që fillimisht do të plotësohen dhe më pas do të numërohen, do të jetë rreth 6000 copë. Sipas këtij projekti, për të simuluar procesin e votimit, do të përzgjidhen grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si studentë, zgjedhës që votojnë për herë të parë, zgjedhës të moshës së tretë etj. 

Numërimi elektronik do të vihet në zbatim për herë të parë në qarkun e Fierit më 23 qershor, nga kompania spanjolle “INDRA”, dhe pritet që rezultatet të dalin brenda 24 orëve.

Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për vlerësimin e testimit të parë. Ndërsa raporti do t’i dorëzohet KQZ-së 10 ditë pas testimit, ku do të paraqitet analiza e mbarëvajtjes së projektit. 

Një muaj para zgjedhjeve, administrata zgjedhore do të realizojë transportimin e pajisjeve skanera, të cilët do të dërgohen nga kompania mëmë INDRA, me qendër në Spanjë. KQZ në kontratën e nënshkruar me firmën spanjolle ka marrë me “qira” përdorimin e teknologjisë, pasi sipas administratës zgjedhore kostoja e blerjes së tyre ishte shumë e lartë.