Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, shkruan se kandidatët për kryebashkiakë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë njerëz me integritet dhe figura të pastra.
Sipas tij, ky fakt i ka shtuar ankthin palës tjetër, duke iu referuar kështu Partisë Socialiste.
“Jemi në një garë ku superioriteti, integriteti, pastërtia e kandidatëve tanë, përveç programeve të tyre mjaft tokësore, realiste, të realizueshme, përveç fushatës së tyre të mrekullueshme duke i takuar qytetarët, tashmë ka bërë një diferencë, e cila vetëm i shton ankthet palës tjetër dhe marrëzitë.
Dhe natyrisht që ne do të vazhdojmë ta thellojmë këtë diferencë, duke ruajtur këtë pozitivitet të jashtëzakonshëm të fushatës sonë, këtë transparencë të jashtëzakonshme të fushatës sonë dhe duke promovuar vlerat më të larta të qytetarisë dhe të bashkëpunimit me të gjithë qytetarët e lënë pas dore në bashkitë tona gjatë këtyre katër viteve.
BashkFitojmë!”, ka shkruar Meta.