“Turpi i Evropës që Macron dhe Scholz humbën në mënyrë të mjerueshme”. Kështu është shprehur Presidenti i Dumës ruse Vyacheslav Volodin teksa komentoi rezultatet e zgjedhjeve evropiane.
“Ky është kolapsi i politikës së Macron”, ndërsa në Gjermani “për partinë e Scholz-it rezultatet ishin më të këqijat në histori”, shkroi ai në Telegram.
“Rezultatet në Francë dhe Gjermani janë të parashikueshme. Ekonomia është në stanjacion, ka një krizë migracioni dhe vendet, në kundërshtim me interesat e tyre kombëtare, janë përfshirë në luftën në Ukrainë”, tha Volodin i cili tha se “është e drejtë për ta të japin dorëheqjen dhe të mos tallen me qytetarët e tyre”.
Humbjet elektorale për Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz janë pasojë e “politikës së tyre të paaftë për të ofruar mbështetje për autoritetet e ndaluara të Ukrainës në kurriz të qytetarëve të tyre dhe politikave të tyre idiote në lidhje me ekonominë dhe migracionin”, deklaroi ish-presidenti rus dhe zëvendës sekretari aktual i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Dmitry Medvedev, duke shtuar; do ta shikoni se çdo të ndodhë më tej.
Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, thekson se shumica në Parlament do të mbetet pro-evropiane dhe pro-ukrainase, por partitë e krahut të djathtë po bëjnë presion ndaj forcave pro-evropiane. Fitorja e partisë së Marine Le Pen në Francë, shton ai, është “një çështje e brendshme në të cilën ne nuk ndërhyjmë”.