Pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 17:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 33.48% , sipas KQZ.

Qytetarët e Himarës do të zgjedhin këtë të diel kryetarin e ri të Bashkisë, i cili do t’i drejtojë për tre vitet e ardhshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thekson se identifikimi i zgjedhësve bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit dhe deri tani nuk raportohen problematika.

“Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika. Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika”,  thekson KQZ.

Në zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak të Himarës janë dy kandidatë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar, Petro Gjikuria.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas afatit ligjor. Sipas të dhënave, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Himarë është 23.074.