Kur na ndajnë edhe tre ditë nga zgjedhjet e pjesshme në Kavajë, gjatë të cilave opozita ka paralajmëruar një protestë, vjen një lëvizje sigurie nga Drejtoria e Burgjeve.

Duke qenë se shpeshherë kryedemokrati Basha dhe eksponentë të tjerë të Partisë Demokratike kanë bërë thirrje për mosbindje civile, duket se ashtu si policia edhe Drejtoria e Burgjeve po merr masat e saj për të kontribuar për rendin e sigurinë, duke pezulluar të gjitha lejet për të dënuarit.

Po ashtu është pezulluar edhe transferimi i të burgosurve deri pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Zgjedhjet në Kavajë, drejtoria e burgjeve pezullon të gjitha lejet për të dënuarit. Lejet per arsye sigurie. Gjithashtu pezullohen trasferimet deri pas zgjedhjeve të 18 qershorit”,- thuhet në një deklaratë të shkurtër të shpërndarë nga ky institucion.

Sakaq edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka gati një plan masash sa më korrekt në menaxhimin e kësaj situate. 

 Prej disa ditësh në këtë qytet Policia e Tiranës ka çuar 60 efektivë nga secili komisariat, të cilët po monitorojnë situatën.