18 nëntor 2013- Kolegji Zgjedhor rrëzon padinë e Partisë Demokratike, sa i takon pretendimit për vjedhjen e votave për Bashkinë Korçë. Mesditën e sotme, Kolegji Zgjedhor nisi shqyrtimin e provave materiale për vjedhjen e votave në qytetin e Korçës, gjatë zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti. Kolegji mori në shqyrtim një video të publikuar në media, ku studentët paguheshin 20 mijë lekë të vjetra, në këmbim të votës.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso, në një prononcim për mediat e cilësoi vendimin të patolerueshëm.

“Siç jeni në dijeni, sot Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim kërkesë-padinë e Partisë Demokratike, lidhur me atë që gjithë shqiptarët e panë me zë dhe figurë, fenomenin e turpshëm të vjedhjes së votës. Kolegji Zgjedhor për fat të keq vendosi t’i mbyllte sytë përpara këtij fenomeni. Kjo është e patolerueshme sa ç’është edhe vetë fenomeni i blerjes së votës.

Vetëm e lirë dhe e ndershme nuk mund të kishte qënë, u panë qartë përmasat e fenomenit. Ajo çfarë duhet të bënte Kolegji, ishte të merrte një vendim drastik, të merrte një masë drastike ndaj këtij fenomeni, i cili për herë të parë arriti të vërtetohej", tha ai.