Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së martës ka bërë të ditur se me datë 31 dhjetor, në ndërrimin e moteve, votat do të numërohen vetëm deri në mesditë.

Procesi do të rinisë me datë 1 janar në orën 16:00.

Sekretariati i KQZ-së, Besnik Buzhala tha: “Orari më 31 dhjetor të jetë deri në orën 12:00 dhe më 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim të Këshillit për Operacione Zgjedhore, sekretariati i ka njoftuar të gjitha Komisionet Komunale Zgjedhore”.

Nga ana e përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje pati kundërshtime për ndërprerjen e numërimit në ditën e festës së Vitit të Ri.

“Ne nuk guxojmë me e ndalë aktivitetin tonë, me iu nënshtruar festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pasur ndërprerje për shkak të aspektit sensitiv, por edhe të integritetit të vetë procesit”, tha anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi.

Në mbledhjen e së martës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve po ashtu u shprehën shqetësime për problemet me energji elektrike në ditën e zgjedhjeve.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani u shpreh: “Duke e parë që edhe gjatë periudhës së fushatës zgjedhore ka ndërprerje të energjisë elektrike në gjithë vendin, konsideroj se nga KQZ-ja nevojitet një komunikim i drejtë me Ministrinë, por edhe me organet e tjera, me KEDS-in, KESCO-n dhe këdo që është i nevojshëm, për të harmonizuar dhe për të parë se ku mund të kemi sfida për ditën e zgjedhjeve”.

Në Kosovë, më 28 dhjetor do të votohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ky është procesi i tretë zgjedhor që organizohet në vend, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe zgjedhjeve lokale të tetorit.