Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut të shtunën caktoi datën 22 maj për rivotimin në shtatë qendra zgjedhore pasi Gjykata Administrative i hodhi poshtë ankesat e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Evropian.

Partitë e koalicionit u ankuan kundër mundësisë së përsëritjes së procesit ndërsa vendimin e KSHZ-së e quajtën një skenar në mënyrë që BDI-ja dhe Fronti Evropian të dëmtohen, duke i marrë të paktën një deri në dy deputetë.

Të gjithë anëtarët e KSHZ-së, përveç nënkryetares Ditmire Shehu, e cila nuk mori pjesë në seancë, votuan që të përsëritet votimi në një qendër të Komunës së Zhelinës pranë Tetovës. Bëhet fjalë për zonën e gjashtë zgjedhore, ku Fronti Evropian fitoi nëntë deputetë, ndërsa koalicioni “Vlen” shtatë.

Rivotimi rrezikon që Frontit Evropian t’i merret një deputet dhe ai t’i shkojë koalicionit Vlen, duke pasur parasysh ndikimin që drejtues të këtij koalicioni kanë, konkretisht në fshatin Llërcë, ku u konfirmua rivotimi. Më pak se dyqind vota do të përcaktojnë nëse BDI dhe koalicioni i tij do të humbasë apo do të ruajë këtë vend në parlament.

Rivotime do të ketë edhe në gjashtë qendra të tjera në Krushevë, Dollnen, Strugë dhe Ohër, si pjesë e zonës së gjashtë zgjedhore. Edhe këtu koalicioni Fronti Evropian rrezikon të humbasë një deputet dhe atë ta fitojë ose Lidhja Social Demokrate ose VMRO-DPMNE-ja.

BDI-ja dhe partnerët e saj vlerësojnë se të gjitha partitë janë bërë bashkë për ta dëmtuar atë sepse në zgjedhjet parlamentare të 8 majit doli partia e dytë në vend me 19 ligjvënës, teksa LSDM-ja me një më pak, kurse koalicioni Vlen me 13 vende nga 120 sa ka parlamenti.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha pas një takimi të shtunën me drejtuesit e koalicionit Fronti Evropian se ata janë fituesit e zgjedhjeve të 8 majit, por se po bëhen marrëveshje në dëm të shqiptarëve, me synim rrezikimin e marrëdhëniet ndëretnike. “Rivotimi ka një prapaskenë të rrezikshme, por nuk do të lejohet që të realizohet strategjia e nxitjes së tensioneve”, tha zoti Ahmeti .

Ndërkohë, koalicioni Vlen ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët akuzojnë BDI-në për manipulime në zgjedhjet parlamentare të para dhjetë ditëve; për blerje votash dhe trysni e kërcënime ndaj votuesve.

“Vlen” është përfshirë në bisedimeve intensive me partinë VMRO-DPMNE për formimin e qeverisë së re. Zoti Arben Taravari ka theksuar se të premten që vjen mund të zyrtarizohet koalicioni i ri qeveritar.

Zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku VMRO-ja shënoi fitore të thellë, janë ndjekur me interes jo vetëm në rajon por dhe më gjerë. Analistët në Shkup e shikojnë VMRO-në nacionaliste si frenuese e proceseve të integrimit të vendit në BE me retorikën e zyrtarëve të saj të lartë kundër marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat janë kyçe për rrugën e vendit të vogël ballkanik drejt Brukselit.