Kandidati në garë, por i tërhequr vetëm 3 ditë para zhvillimit të procesit zgjedhor për kreun e ri të PS Durrës, Ardit Kërtusha ka ironizuar rizgjedhjen e Luan Zazës në këtë post, kur shprehet “Lutu marionetë që këtë mandat të dytë të të mbajne fijet, pasi duket që janë holluar shumë!”

Me anë të një postimi në Facebook, të cilin e ka shoqëruar edhe me një fotomontazh të Dakos dhe Zazës, Kërtusha e cilëson votimin e sotëm në qytetin bregdetar, “zgjedhje të kohës së Partisë-Shtet”.

“Urime, urime zoti Marionetë! Fituat me një rezultat tepër te ngushtë. Jeni për t’u lavdëruar se na hoqët mallin e zgjedhjeve të kohës e Partisë-Shtet. Gjithsesi njeriu e kupton që gara përballë vetes tënde ështe ndonjëherë më e vështira. Lutu marionetë që këtë mandat të dytë të të mbajne fijet, pasi duket që janë holluar shumë! Të përgëzoj”,- shkruan Kërtusha.

Në postimin e bërë 3 ditë më parë, kur njoftoi dorëheqjen e tij, Kërtusha e cilësoi kreun e degës së PS-së së Durrësit marionetë të Vangjush Dakos dhe denoncoi ato që ai i quajti “ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet”.

Ditën e sotme u zhvilluan zgjedhjet për kreun e PS-së Durrës, ku kandidati i vetëm në garë, Luan Zaza, mori 339 vota nga 400 votues që morën pjesë në proces. Vetëm një votë u shpall e pavlefshme.