Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar informacion Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) në lidhje me akuzat për korrupsion në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Durrësit.
Në letrën e SPAK, theksohet se “ditët e fundit jemi njohur nga burime të hapura, se përfaqësuesit e subjekteve politike, kanë depozituar pranë jush prova që mund të hedhin dritë në lidhje me autorët e mundshëm të veprës penale, kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre në Qarkun Durrës”.
Në shkresën e saj, SPAK kërkon: “Për sa më sipër kërkojmë nga ana juaj të na vini në dispozicion çdo provë kryesisht ato shkresore, audio dhe video, që ju keni administruar gjatë procesit administrativ të shqyrtimit të ankimeve në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të zhvilluara në qarkun Durrës dhe që mund t’i shërbejë procesit penal”.
Nga ana tjetër KAS vendosi për qarkun e Durrësit rinumërimin e 108 kutive, dhe pas rezultatit të ri final LSI që kishte pretendime për mandatin nuk arriti ta marrë.





