Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë të trajtohen të barabartë, njësoj si serbët në Kosovë. 

Ata nuk shprehen optimistë për zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi, teksa kritikojnë politikanët shqiptarë që nuk po garojnë të bashkuar. 

Qytetari nga Presheva, Sadik Miftari thotë se që prej dy dekadash nuk ka përmirësim të gjendjes së shqiptarëve në Luginë. 

“Asgjë nuk presim, njësoj gjithmonë. Që 23 vjet – çfarë ka pasur, ashtu gjithmonë… Kushdo qe zgjidhet deputet, duhet të hapë vende pune. Vendet e punës nuk mund t’i hapë këtu askush, veç kush të mashtrojë”, thotë ai. 

Ai shprehet i zhgënjyer me faktin se shqiptarët në këto zgjedhje po garojnë me dy lista. 

“Krejt kombet po anojnë nga vetja. Unë nuk e di pse të tanët. Veç shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni e nëse dëshirojnë në Preshevë, (atëherë) ndahen sa të munden, për t’u copëtuar“, shtoi ai. 

Edhe Ramadan Miftari nga Presheva kërkon të drejta dhe trajtim të barabartë të qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës sikurse serbët në Kosovë. 

“Po, kemi dëshirë të jemi të barabartë me ata, si ata që janë në Kosovë edhe ne në Serbi. Kemi dëshirë të bëhet mirë”, shprehet ai. 

Qani Beqiri, banor i Rahovicës së Preshevës, thotë për KosovaPress se e ka shfrytëzuar të drejtën votës bashkë me familjarët e tij. 

“Të jemi të barabartë si ata që jetojnë në Kosovë edhe ne këtu. Asgjë më tepër…Të dëgjohet zëri i shqiptarëve në atë parlament. Asgjë më tepër”, shprehet ai. 

Ndërsa Faruk Halili kërkon që të merren masa që rinia të mos i braktisë trojet e veta shqiptare. 

“Shpresoj, i lumi Zot na drejton, sepse po më dhimbsen të rinjtë që krejt po ikin… Të rinjtë duhet të punësohen, që të mos na ikin“, tha ai. 

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në zgjedhjet e sotme parlamentare në Serbi garojnë të ndarë me dy lista: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”./KosovaPress