Ditën e shtunë, demokratët e Durrësit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të degës.

Në zgjedhjet që po organizohen nga Komisioni i Rithemelimit, por të kontestuara nga pjesa zyrtare e PD-së, garojnë përballë njëri-tjetrit 3 figura të njohura për demokratët e qytetit bregdetar, Osman Stafa, Igli Cara dhe Ardian Muka.

Ish-kreu i PD Durrës, Osman Stafa garon për herë të dytë në këtë post, pasi e ka drejtuar degën lokale për rreth 2 vite me radhë, në periudhën 2014-2016.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Stafa e konsideron garën e 23 prillit si mjaft të fortë, sepse kandidatët janë figura potenciale dhe me mbështetje të gjerë brenda demokratëve. Madje ai nuk nguron t’u bëjë një ftesë dy rivalëve Cara dhe Muka për një debat publik tek Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” apo në një media, me qëllim shpalosjen e programit të gjithësecilit për drejtimin e partisë.

Për kandidatin Stafa, këto zgjedhje do t’i shërbejnë bashkimit të demokratëve sepse sipas tij “modeli i ish-kryetarit Lulzim Basha nuk i shërbente as opozitës, as shoqërisë shqiptare”. Por ndër të tjera ai pranon se gjatë procesit të riorganizimit të partisë ka pasur edhe gabime.

Bashkimi është një proces në evoluim, në zhvillim. Ne jemi qënie njerëzore me emocione dhe qëndrime. Procesi po vazhdon dhe ne duhet të jemi të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe demokratët. Ka gjëra që grupi i Rithemelimit në Durrës duhet t’i bënte shumë më ndryshe, më me qetësi, më me durim, më me tolerancë. Besoj se kryetari i ri që do të dalë nga vota e demokratëve do ta rishohë me prioritet jo vetëm procesin e riorganizimit, por shtimit dhe hapjes së PD-së”,– deklaroi Stafa.

Sipas tij, dega lokale e PD-së duhet të ndryshojë dy gjëra në të bërit opozitarizëm, në mënyrë që të kthehet në një forcë fituese në zgjedhjet e ardhshme.

PD në Durrës ka nevojë të ndryshojë modelin dhe frymën e saj të opozitarizmit, sepse PD nuk i përket vetëm demokratëve, por i përket çdo qytetari. PD ka nevojë të hapet, të rigjenerohet me elementë të rinj. Rinia dhe intelektualët duhet të jenë me çdo kusht pjesë e këtij procesi.”,– tha ndër të tjera Stafa.

Pas zgjedhjeve të 23 prillit, kandidati Stafa beson se selia e degës së PD Durrës do të jetë e të gjithë demokratëve.

Modeli Brava është ideuar, prodhuar dhe realizuar për herë të parë në Durrës”,– duke iu referuar rastit kur ai u shkarkua nga drejtimi i PD-së lokale me urdhër të Lulzim Bashës dhe selisë iu ndryshua brava e derës.

Por përveç kandidimit si kryetar lokal dege, a mendon Stafa të jetë kryetar bashkie apo deputet në të ardhmen? A ka hatërmbetje ndaj figurave kryesore të PD Durrës për qëndrimet e mbajtura prej tyre në kohën kur u shkarkua si kryetar? Cilat janë gabimet që PD ka bërë gjatë viteve në pushtet 2005-2013? Këto dhe shumë pyetje të tjera gjejnë përgjigje në intervistën e mëposhtme.

M.B.