Në orën 08.00 të kësaj të shtune, në selinë e degës së PD Durrës nisi procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të ri të degës lokale, proces që pritet të përmbyllet në orën 18.00.
Në garë për kreun e PD Durrës janë vetëm dy kandidatë, Adrian Gashi dhe Erion Luka, pas dorëheqjes së dhënë nga dy kandidatët e tjerë, Edlira Harizi dhe Alban Zhiti.
Sipas deputetit të PD, Arian Ndoja, procesi i votimit po vijon normalisht, ndërsa kandidaturat gëzojnë konsensusin e të gjitha grupeve brenda degës lokale.
Në të njëjtën kohë, deputeti Ndoja theksoi se zgjedhja e kreut të ardhshëm të degës lokale do t’i hapë rrugën riorganizimit të PD-së durrsake dhe përgatitjen e strukturave për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Unë jam kundër kultit të individit, por mendoj se kandidatura që do të vijë, cilado qoftë nga dy kandidatët, do të sjellë riformatim dhe riorganizim të ri të PD Durrës dhe një ekip shumë kompetitiv për zgjedhjet e ardhshme lokale”– tha ndër të tjera deputeti Ndoja.





