Ditën e sotme, Komisioni i Rithemelimit të PD-së po zhvillon zgjedhjet për kryetar të degëve lokale. Kandidaturat për postin e kryetarit të degës Durrës janë: Astrit Xhaferri, Loritan Prifti, Luan Hoti.

Ndërkohë, i pranishëm në votime ka qenë edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili shprehet se ditën e sotme demokratët e Durrësit janë bashkuar dhe po votojnë masivisht.

“Sot procesi për zgjedhjen e kryetarit të degës së Durrësit ka nisur që në orën tetë. Duket një pjesëmarrje masive në këtë proces ku kemi tre kandidatë, si zotin Xhaferri, zotin Prifti dhe zotin Hoti. Kjo pjesëmarrje tregon edhe njëherë se si demokratët bashkohen nëpërmjet votës, se si demokratët njohin vetëm një parim të zgjedhjes të përfaqësuesve të tyre, e cila është vota. Është një ogur i mirë për të gjithë qytetin e Durrësit, që demokratët po bashkohen sot më shumë se kurrë në këtë moment tejet kritik për vendin”, u shpreh Balliu.