Kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Kukës, të cilat do të mbahen më 24 shtator janë mbi 45 mijë votues.
Celibashi tha se këto zgjedhje do të kushtojnë mbi 25 milionë lekë.
“Janë 45 946 zgjedhës në listën e zgjedhësve të bashkisë Kukës, të cilët kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 24 shtatorit. Janë 74 qendra votimi në këtë bashki, prej tyre 1 qendër është në paraburgimin e Kukësit. Ka ndryshuar përbërja e komisioneve të qendrave të votimit. 9 qendra votimi janë plotësuar me 7 anëtarë, pjesa tjetër janë me 6 anëtarë. Do të jenë 5 grupe numërimi, dy nga PS, një nga PD dhe një nga PL. Do të votohet vetëm me një fletë votimi. Këto zgjedhje do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 25 milion e 457 mijë lekë, të cilat nuk janë para të kërkuara shtesë në buxhetin e KQZ por në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit, pamë që nuk ishte e nevojshme të kërkonim buxhet shtesë sepse kishte kursime nga zgjedhjet e 14 majit.”
Celibashi tregoi edhe se përse nuk do të realizohet me votim elektronik.
“E para koha nuk ishte e përshtatshme për ta përgatitur procesin, nga pikëpamja e arsyetimit, mendoj që kemi eksperimentuar mjaftueshëm deri tani në një lloj mënyre në lidhje me votimin elektronik, dhe në këtë moment zgjerimi s’do kishte shumë sens, pasi tej faktit që s’kishim kohë, s’do siguronte ndonjë avantazh. Duke mos qenë shumë i sigurt se sa vullnet ka nga partitë dhe sa janë mundësitë financiare, s’do kishte logjike ta shtrinim në një njësi ku më pas s’do të zhvillohej në zgjedhjet e tjera“, tha Celibashi.