Ripërtëritja e strukturave lokale të Partisë Demokratike ishte kryefjala e takimit të zhvilluar 3 ditë më parë mes kryetarit Lulzim Basha dhe Kolegjit të Kryetarëve.

I zgjedhur në krye të partisë javë më parë, Basha kërkon tashmë riorganizimin e saj. Vendimmarrja kryesore ishte hapja e procesit zgjedhor në të gjitha degët e Partisë Demokratike.

Deri në 5 tetor do të kryhet verifikimi i anëtarësisë e më pas baza do të përfshihet në proces zgjedhor, që brenda 31 dhjetorit të këtij viti PD të ketë një strukturë të ripërtërirë.

Në Durrës, dega lokale drejtohet nga Jonuz Myshketa, i cili u komandua në detyrë dhjetorin e vitit të kaluar. I pyetur nga “DurrësLajm” nëse do të kandidojë për t’u zgjedhur kryetar i degës lokale, Myshketa thotë:

“Padyshim që do të përfshihem në garë. Nuk u jam shmangur asnjëherë sfidave, duke treguar koherencën time dhe dëshirën për të dhënë më të mirën për qytetin. Besoj se këtë gjë e kam treguar edhe në situatën më të vështirë ku ndodhej PD, në një situatë ku të gjithë mendonin se PD ishte shkrirë ne qëndruam në ballë duke treguar se ishte gjallë. Mbajtja gjallë e PD-së nuk është vetëm mbajtja gjallë e një sigle, por është mbajtja gjallë e një fryme dhe filozofie të djathtë, e cila duhet të jetë domosdoshmërisht zëri i qytetarëve me koherencë në të drejtën e tyre dhe në shërbim të vendit”.