Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri më tani, ku tha se iu janë drejtuar kutive të votimit 12 948 anëtarë, ose 17.2% e anëtarësisë.
“12 948 anëtarë që kanë votuar, që do të thotë një shifër që shkon te 17.2%. Përgjithësisht procesi ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa në fillimin e procesit. Në dy-tre raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt të qartësimit të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vazhduar”, tha Gjana.
Janë në total 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.
Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.





