“Një kthesë djathtas në Parlamentin e ri Europian mund të ndryshojë shumë politika, duke filluar me migracionin e deri tek ndihma për zhvillimin.”

Në zgjedhjet parlamentare në qershor pritet që partitë e djathta të fitojnë më shumë vende në parlamentin e ri europian, por megjithëse ato nuk pritet të arrijnë shumicën, një kthesë djathtas mund të ndryshojë shumë politika në parlamentin e ri – duke filluar me migracionin e deri tek ndihma për zhvillimin.

350 milionë qytetarë të BE-së do të mund të votojnë drejtpërdrejt për parlamentin e tyre nga e enjtja deri të dielën këtë javë.

Por nxjerrja në vendvotime e 350 milionë votuesve me të drejtë vote në Bashkimin Evropian në zgjedhjet e dyta më të mëdha demokratike në botë, pas Indisë, nuk është aq e lehtë. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e fundit, në vitin 2019 ishte vetëm rreth 50 për qind. Në sondazhin e pranverës të opinionit publik, BE-ja zbuloi se këtë herë interesi për zgjedhjet ishte rreth 60 për qind. Prandaj, pjesëmarrja në votime mund të rritet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për këto zgjedhje, të cilat shumë kampe politike i kanë shpallur “zgjedhje fati” apo “zgjedhje drejtimi”. Sepse, statistikisht, rezulton se mesi i spektrit politik zakonisht përfiton nga pjesëmarrja e lartë.

Në shumë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, fushata zgjedhore u formësua nga diskutimi i sigurisë dhe mbrojtjes në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, sipas sondazheve të opinionit publik, politikat ekonomike dhe sociale janë çështjet më të rëndësishme në 27 shtetet anëtare. Politika e migracionit nuk luajti ndonjë rol vendimtar në shumicën e vendeve të BE-së në këtë fushatë.