Presidenti i Republikës Bajram Begaj thotë se partitë politike dhe kandidatët e shpërfillën thirrjen e tij për të mos përdorur retorikë politike.
Në konferencën për shtyp me Presidentin polak, Begaj tha se 14 Maji është një sfidë për të gjitha institucionet shqiptare, teksa theksoi se partitë kanë përdorur retorikë armiqësore.
“Zgjedhjet janë një mundësi ku qytetarët e shpreshin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Natyrisht që standardi i zgjedhjeve ndikon në procesin e integrimit europian. Pasi vetë zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm i maturisë së sistemit tonë demokratik. 14 Maji është një sfidë për ne, sfidë për institucionet shqiptare, sfidë për partitë politike dhe për vetë shoqërinë. Zgjedhjet, e kam përmendur në një deklaratë të mëparshme, nuk janë të partive politike, zgjedhjet janë të qytetarëve. Në fakt, të gjithë kandidatët, partitë politike, mos i shpërfillin qytetarët. Siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë Presidentit kur bëri thirrje që retorika që të përdorej gjatë zgjedhjeve të ishte një retorikë qytetare jo denigruese, jo armiqësore, të ishte një retorikë e cila të ishte e matur, e vetëpërmbajtur, që të kishte përplasje idesh, premtimesh dhe mos të ishte me retorikë të panevojshme”.
Presidenti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime.
“Për mua sot 3 ditë para zgjedhjeve është e rëndësishme që unë të bëj një thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë kushtetuese, por është edhe një detyrim moral qytetar; detyrim për veten tonë, detyrim për kombin”, u shpreh Presidenti Begaj.
Zgjedhjet vendore zhvillohen të dielën më 14 Maj.