Kryeministri Edi Rama, në takimin me kryetarët e bashkive dhe prefektët paraditen e së premtes, paralajmëroi se disa prej tyre mund të mos jenë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Bëni reflektimet tuaja lidhur me sezonin, të nxirrni konkluzionet tuaja që janë konkluzione më të thella se ato tonat sepse ju jeni në terren dhe të bëni propozimet pa humbur kohë për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht se qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet. Shumë nga ju mund të jenë në fushatë, të tjerë mund të mos jenë. Kjo nuk ka rëndësi. Por përgatitjet duhen filluar”.

Rama tha se një prioritet shumë i madh do t'i jepet rrjetit të ujësjellësit në të gjitha bashkitë e vendit, duke evidentuar punën e mirë që është bërë në plazhin e Durrësit.

“Do zhvillojmë projektin e rritjes së investimeve në infrastrukturën turistike. Një program i ri për ujësjellësin i cili do të jetë i gjithi i fokusuar tek turizmi dhe nga ana tjetër do ju përgjërohesha që të fokusoheshit tek agroturizmi. Më lejoni t’ju them sepse është e papranueshme kur potenciali për agroturizmin është kaq i madh, dhe të ardhurat janë kaq të mëdha, ne detyrohemi të kemi mangësi në aplikime. Kjo është e pakonceptueshme. Në vend që te kemi problemin se granti ka nevojë për më shumë para, në kemi problemin se s’kemi aplikime nga subjektet bashkiake”, the kryeministri Rama.