BRUKSEL, 25 qershor 2013 – Si thirrje për ta përmbyllur me sukses procesin zgjedhor, mund të quhet dalja e përbashkët mediatike në nivelet më të lartë për Bashkimin Europian.
Kryediplomatja Ashton dhe komisioneri i Zgjerimit Fule, i vlerësuan zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit si përgjithësisht të rregullta, ama theksin e vunë tek kompletimi i procesit dhe formimi në kohë i qeverisë së re.
“Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin përpara drejtësisë”, tha dyshja, “por tani është e rëndësishme që fazat e mbetura të procesit zgjedhor të mbyllen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të veprojnë me një frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar".
"Pasi të certifikohen rezultatet, ne inkurajojmë formimin në kohë të qeverisë për të adresuar sfidat e menjëhershme për të siguruar që axhenda e reformave në vend po ndiqet energjikisht dhe se procesi i integrimit evropian të fitojë vrull të ri,” thuhet në deklaratën Ashton-Fule.





