TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së në vendin tonë. Trojka e ambasadorëve, Arvizu, Sequi dhe Wollfarth u pritën nga lideri socialist në selinë rozë rreth orës 10.30. 

Në përfundim të takimit, që zgjati rreth 1 orë, ambasadorët dolën në një konferencë të shkurtër për mediat, ku bënë të ditur se në qendër të diskutimeve me kreun e opozitës ishin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ambasadorët e cilësuan si mjaft konstruktive bisedën me kryetarin e socialistëve. 

“Këto zgjedhje duhet të bëhen në mënyrë konstruktive dhe sipas standardeve, që të kemi të ardhme të paqtë dhe shtet të së drejtës”- tha pas takimit ambasadori i OSBE-së. 

“Në fakt çdo gjë që është konstruktive do të ketë mbështetjen tonë, është e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe integrimin në strukturat evropiane. Patëm një bisedë konstruktive me Ramën për këtë cështje. Në fakt do të ishim të dekurajuar nëse ka dicka që do ju conte në një atmosferë më pak konstruktive, dialogu ka filluar e do të vazhdojë”- tha Wollfarth.

Menjëherë pas ambasadorëve, përpara mediave doli edhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili theksoi se “opozita është në sintoni të plotë me interesin kombëtar dhe partnerët ndërkombëtarë për sa i përket domosdoshmërisë që zgjedhjet e ardhshme të jenë fundi i kapitullit të farsave elektorale, por fillimi i kapitullit ku populli vendos për ata që do ta qeverisin”.