Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një bilanc të punës së saj në kuadër të zgjedhjeve vendore. Deri më 18 maj, Prokuroria thotë se janë regjistruar gjithsej 31 kallëzime penale. Më së shumti ato janë bërë në Elbasan, më saktësisht 5 prej tyre.

Në Vlorë e Berat ka nga 4 kallëzime; në Durrës, Kukës e Gjirokastër ka nga 3 kallëzime; në Fier, Dibër dhe Tiranë nga 2 kallëzime ndërsa në Korçë, Shkodër dhe Sarandë nga 1 kallëzim.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se kallëzimet janë paraqitur nga subjektet politike, institucionet dhe nga referimet nga Policia Gjyqësore. Gjithsej në pranga në lidhje me këto raste janë vënë 6 persona.

“Prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

Është vendosur mosfillim i hetimeve për 3 kallëzime penale, prej të cilave 2 mosfillime nga Prokuroria Dibër dhe 1 mosfillim nga Prokuroria Gjirokastër. Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi. I është atribuar vepra penale 25 personave”, thuhet nga prokuroria.

Mësohet se drejt SPAK janë kaluar 3 procedime penale për shkak të moskompetencës së hetimit. Bëhet fjalë për 2 raste nga Berati dhe 1 në Vlorë.