Opozita e Bashkuar i ka kërkuar qeverisë që t’i përmbahet marrëveshjes për miratimin e Reformës Zgjedhore pas konsensusit të arritur mes palëve të përfshira.

Në një njoftim dërguar mediave, Opozita e Bashkuar thotë se tashmë është mbyllur drafti për “Zgjedhoren” dhe është radha e Parlamentit për të votuar ndryshimet në Kodin Elektoral, ndërsa i bën thirrje qeverisë që të heqë dorë nga provokimet që mund të cënojnë marrëveshjen e arritur.

DEKLARATË E OPOZITËS SË BASHKUAR

Sot është përmbyllur kodifikimi me konsensus i Dakordësisë së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, duke shënuar një kontribut real të opozitës për plotësimin e 1 nga 15 kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Opozita e Bashkuar kërkon miratimin pa vonesa të draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 janarit.

Qeveria duhet t’i përmbahet angazhimit për miratimin e Reformës Zgjedhore pa asnjë ndryshim, duke hequr dorë nga manovrat apo provokimet, që do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike.

Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për implementimin e identifikimit biometrik.

Opozita e Bashkuar falenderon edhe njëherë partnerët ndërkombëtarë për ndihëm e çmuar që kanë dhënë gjatë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve.