Në fillim të Qershorit 2024, votuesit në 27 shtetet anëtare të BE-së zgjodhën 720 ligjvënës në Parlamentin Evropian për pesë vitet e ardhshme. Shumë prej anëtarëve që shërbejnë në Parlamentin Evropian 2019-2024, të cilët janë bërë “fytyrat e njohura” në Ballkanin Perëndimor, ruajtën vendet e tyre, ndërsa disa nuk u rizgjodhën. Partia Popullore Evropiane (EPP) ruajti pozitën udhëheqëse në PE pas zgjedhjeve.
Në fund të Nëntorit, shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian votuan në favor të Komisionit të Dytë Evropian të kryesuar nga Ursula von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Evropian filloi më 1 Dhjetor, në të njëjtën ditë kur Presidenti i ri i Këshillit Evropian António Costa filloi mandatin e tij.
Marta Kos, Komisionerja e re për Zgjerim, theksoi se zgjerimi do të mbetet i bazuar në merita dhe se disa vende kandidate mund të përfundojnë procesin e anëtarësimit në pesë vitet e ardhshme. Po kështu, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, tha se “zgjerimi është një investim gjeostrategjik që është në interes të BE-së dhe në pesë vitet e ardhshme na duhen rezultate të qarta”.
Në fillim të Nëntorit, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votuan në zgjedhjet presidenciale që rezultuan me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Politika ndaj Ballkanit Perëndimor nuk u shfaq në fushatë, por disa analistë pohuan se rizgjedhja e tij mund të nënkuptojë “ringjalljen” e qasjeve që çuan në marrëveshjen e Uashingtonit të pazbatuar për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës nënshkruar në vjeshtën e vitit 2020.