Ministria e Jashtme greke ka lëshuar një deklaratë në faqen zyrtare mbi dekretin presidencial që u miratua dy ditë më parë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, që ka ngjallur debat të fort politik në Shqipëri.

Ministria e Jashtme e vendit fqinj e cilëson vendimin për zgjerimin me 12 milje si të drejtë të patjetërsueshme.

Ndërkaq në Tiranë, Edi Rama në vend që të japë shpjegime për bisedimet e fshehta që ka kryer, ka vendosur të sulmojë të gjithë kundërshtarët e tij me fjalë dhe fjalor banal.

“Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për hyrjen në fuqi të Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe ndërtimin e vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe Ishujt në Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez që hyri në fuqi sot.

Dekreti Presidencial u lëshua në përputhje me ligjin ratifikues të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit. Është një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në zonën e mësipërme, veprim i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit.

Dekreti i Presidentit thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, pasi ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit, e cila pasqyron të drejtën ndërkombëtare.

Greqia është e vendosur në mënyrë rigoroze për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ligjin e detit dhe gjithmonë vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, mbyllet deklarata.