Duke filluar nga viti 2026 zgjerohet fasha e grupmoshës së grave përfituese nga Programi Kombëtar i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, një nismë që synon rritjen e ndërgjegjësimit për kontrolle dhe uljen e rrezikut ndaj kësaj sëmundjeje.
Siç bën me dije ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale Evis Sala përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, nga 40-50 vjeç që ishte, kjo fashë është zgjeruar në 35-55 vjeç.
“Sot bëjmë një hap të rëndësishëm për shëndetin e grave dhe për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri. Bazuar në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend, rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe në Strategjinë Globale të OBSH-së për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës vendosim të zgjerojmë fashën e grupmoshës për depistimin e kancerit të qafës së mitrës me testin HPV, nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç, në kuadër të Programit Kombëtartë Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës.
Në Shqipëri, mosha mesatare e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës është 53 vjeç, çka tregon qartë se depistimi duhet të fillojë më herët dhe të mbulojë një periudhë më të gjerë rreziku.”, u shpreh ministrja Sala.
Sipas saj, për ta bërë këtë program sa më të aksesueshëm dhe efektiv, çdo vit gratë e kësaj grupmoshe do të marrin mesazhe njoftimi/ kujtese në telefonin celular, përmes SMS-ve informuese, që do t’i ftojnë ato të drejtohen pranë qendrës shëndetësore ku janë të regjistruara, për kryerjen e testit HPV dhe marrjen e informacionit të duhur nga personeli shëndetësor.
“Ky është depistim i organizuar, i planifikuar dhe i barabartë për të gjitha gratë e grupmoshave specifike dhe është një shërbim publik i siguruar e garantuar falas nga MSHMS. Ky vendim është një investim për shëndetin e grave, për familje më të shëndetshme dhe për një shoqëri më të fortë.”, shton ministrja.
Sipas saj, parandalimi është forma më e mirë e kujdesit shëndetësor.





