11nëntor 2015 – Disa muaj pas zgjedhjes së Blendi Klosit ministër dhe lënien bosh të vendit të deputetit të Durrësit, më në fund është marrë vendimi. Jurgis Çyrbja, drejtor i Zyrës Rajonale të Pasurive të Paluajtshme në Durrës merr mandatin. Çyrbja ishte në renditjen e listës së kandidatëve të së majtës në qarkun e Durrësit. Sot është bërë shpallja zyrtare e Çyrbjes nga Rama, i cili ishte i pranishëm në një aktivitet në Durrës. Mandati i deputetit kishte mbetur bosh prej kohës kur deputeti Blendi Klosi zëvendësoi ministrin e Mirëqenies Erion Veliaj, i cili kandidoi për Bashkinë e Tiranës.

Kush është deputeti i ri i Durrësit

Jurgis Çyrbja ka lindur më 15 korrik të vitit 1985 në Shijak dhe ka studiuar në universitetin "Marin Barleti", si dhe më tej në "Aleksandër Moisiu". Ai është angazhuar prej vitesh me Partinë Socialiste. Për më tepër se 1 vit ai drejton zyrën e Hipotekës në Durrës. I pyetur nga portali Durrëslajm disa muaj më parë nëse do e linte detyrën e drejtuesit të Hipotekës për mandatin, Çyrbja e pohoi se do ta pranonte angazhimin e tij në parlament, për të përfaqësuar zonën e tij me dinjitet.

/portali Durrëslajm/