Zgjidhet kryetari i ri i Lidhjes ts Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës. Pas dorëheqjes për arsye personale të bërë ditë më parë nga ish-kryetari Meçan Hoxha, ditën e sotme është votuar për përzgjedhjen e kreut të ri të kësaj lidhje, që do të jetë piktori Agron Çalliku. Ka qenë kryesia e lidhjes që ka propozuar emrat e Agron Çallikut, Merita Kuçit, Agim Bajramit dhe Myzejen Kondurit për t’u përfshirë në garë.

Por ditën e sotme, procesi zgjedhor nuk ka shkuar aq qetë dhe mbarë, sa do të duhej të ishte një proces, ku përfshihen për të votuar shkrimtarët dhe artistët e qytetit. Listës së kandidatëve i është shtuar edhe emri i Trëndafile Mollës, i propozuar nga anëtarët e pranishëm në sallë. E ndërsa në listë është shtuar me shkrim dore emri i kandidates Molla, kandidatja tjetër Merita Kuçi, njëkohësisht nënkryetare e lidhje,s ka deklaruar publikisht se emri i saj nuk duhet të ishte në listën e votimit, pasi ajo nuk kishte shprehur dakordësi për t’u përfshirë në garë.

E kontaktuar në telefon nga “DurrësLajm” kandidatja Kuçi na rrëfeu se e ka fshirë vetë nga secila fletë votimi emrin e saj.

Gjithsesi zonja Kuçi e njeh procesin e votimit të mbajtur sot dhe kreun e ri Agron Çalliku.

Por kjo nuk ka qenë e vetmja anomali e procesit, sepse dëshmitarë të pranishëm në sallë thonë për “DurrësLajm” se kontestime me tone të larta ka pasur edhe për një pjesë të votuesve, pasi ata nuk kishin kartë anëtarësie të lidhjes.

Ironia e të gjithë procesit ku pritej të votonin emra të njohur të artit dhe kulturës në Durrës është kjo kuti kartoni, në të cilën u hodhën votat.

A tregon kjo kuti gjendjen në të cilën ka përfunduar arti dhe kultura në qytetin 3000-vjeçar? Po ia lëmë më mirë lexuesve ta gjykojnë…

Pas procesit të numërimit, piktori Agron Çalliku rezultoi fitues me 24 vota pro. Zgjedhja e tij u pasua me dorëheqjen e parevokueshme të ish-nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë Vladimir Muça, i cili zgjodhi të largohej nga kjo lidhje, pasi nuk pranon drejtimin e saj nga kreu i sapozgjedhur.

Për ish-kreun e kësaj lidhje Meçan Hoxha, procesi i votimit ka qenë mjaft i rregullt, ndërkohë që shpreh hidhërimin e tij për vendimin e marrë nga Muça.

Sipas disa zërave, të tjerë anëtarë të kryesisë, por edhe anëtarë të thjeshtë kanë vendosur të largohen nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, por për shkak se dorëheqja e tyre nuk është bërë ende publike “DurrësLajm” ;po rezervohet t’u publikojë identitetin.

Në videon e mëposhtme gjeni fjalën e rastit të mbajtur nga kreu i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, që është njohur deri më sot si Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve.

M.B.