Arqile Bollano është zigjedhur kryetar i Bashkisë Himarë. Mësohet se mbledhja e Këshillit Bashkiak u shoqërua me debate dhe diskutime. Ai do të kryejë funksionin e tij si kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Blerina Balës dy ditë më parë. Bollano ishte në garë me Pervin Gjikuria i cili gjatë mbledhjes së sotme deklaroi tërheqjen nga gara.

Po ashtu bëhet me dije se kreu i këshillit Bashkiak, Dhimitër Kapaj është shprehur gjatë mbledhjes se sipas statutit caktohet një nga dy nënkryetarët.

“Ushtrimi i mandati fillon në çastin kur bën betimin dhe kur përfundon betimin kandidati pasardhës. Ne jemi përballë këtij fakti pasi edhe në mbledhjen e mëparshme ne kemi pasur këto debate. Por ne duhet të marrim një vendim për të zgjedhur një kryetar për Himarën. Himara nuk është vetëm e jona. Unë rekomandoj që të zgjedhim, ligji e përcakton, janë dy nënkryetarë, të dy burra të nderuar”, tha ai.

Po në këtë mbledhje nuk kanë munguar as zërat pro figurës së Fredi Belerit teksa janë shprehur se ky mandat i takon atij.

“Belerit nuk i është lejuar betimi, dhe gjithë këto debate kanë ardhur vetëm për shkak të kësaj. Mandati i takon Fredi Belerit që është zgjedhur nga sovrani, nga populli. Dua të kujtoj se sot kishim tjetër rend dite, mbledhja duhet të mbahej në orën 10:00 dhe e zhvilluan në orën 16:00. Këtu rregullorja është shkelur kryekëput”, mësohet të ketë thënë një pjesëtaret e kësaj mbledhje.