Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë sot kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Tre kandidatët në garë janë prokurorët: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

Fillimisht anëtarët e KLP do të intervistojnë tre kandidatët për postin e drejtuesit që do të drejtojë këtë institucion që heton krimin dhe korrupsionin në nivel të lartë.

Bëhet me dije se prokurori Adnan Xholi do të jetë i pari që do të paraqesë platformën para anëtarëve të KLP dhe më pas do të vijojë me platformën e prokurorit Altin Dumani. Ndërsa Edvin Kondili do të jetë kandidati i tretë.

Ndërkohë pas dëgjimit të tre prokuroreve, anëtarët e KLP-së përmes një votimi të hapur, do shprehin vullnetin e tyre për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme.

Në lidhje me këtë, ambasadorja amerikane Yiri Kim, deklaroi dy ditë më parë se “procesi s’duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar.” Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se është KLP që zgjedh kreun e SPAK dhe jo qeveria, opozita apo ambasada e SHBA.

Kreu aktual i SPAK, Arben Kraja, përfundon mandatin në datën 19 dhjetor.